LIGJ Nr. 37/2014

PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR. 8308, DATË 18.3.1998, “PËR TRANSPORTET RRUGORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË


VENDOSI:

Në ligjin nr. 8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:

Neni 1

Në nenin 10, pas shkronjës “b” shtohet shkronja “c” me këtë përmbajtje:
“c) tarifat e biletave të transportit qytetas të udhëtarëve me autobus miratohen me vendim të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore, sipas nenit 14 të këtij ligji.”.

Neni 2

Në nenin 14, pas paragrafit të parë shtohet një paragraf  me këtë përmbajtje:
“Tarifa e llojit të biletës në transportin qytetas të udhëtarëve me autobus miratohet nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore, në përputhje me nivelin e standardit të kërkuar për këtë shërbim.”.

Neni 3

Në fund të nenit 85 shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:
“Fondet për kompensimin e tarifës së transportit të kategorive të personave, që përfitojnë nga legjislacioni në fuqi për transportin qytetas, përballohet nga institucionet përgjegjëse, sipas ligjit. Masa, kriteret dhe procedurat për kompensimin e kësaj tarife përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 4

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar në datën 10.4.2014
Shpallur me dekretin nr. 8553, datë 5.5.2014 të
Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani
Botuar Fletore zyrtare nr.63, date 7 maj 2014

K O M E N T E

Me ndryshimet e miratuara në ligjin nr.37/2014, Parlamenti shqiptar, me propozimin e Këshillit të Ministrave, kompetencën e caktimit të tarifave të biletave të transportit qytetës tashmë ja kalon këshillit të njesissë së qeverisjes vendore. Ndaj, duke filluar nga data 23 maj 2014, që hyn në fuqi ligji nr.37/2014, për shkak të tij, shfuqizohen edhe aktet që bien ndesh me të, përfshirë dhe vendimin nr.637, datë 21.5.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për ndryshimin e tarifave të transportit qytetas të udhëtarëve, të miratuara me vendimin nr.146, datë 26.2.1998 të Këshillit të Ministrave”, të ndryshuar.

Në zbatim të nenit 2, të ligjit nr.37/2014, tarifat e reja, të transportit qytetës (urban) do të jenë specifike dhe të ndryshme për çdo qytet, “…në përputhje me nivelin e standartit të kërkuar për këtë shërbim.”. Niveli i standarti ndër të tjera përcaktohet nga gjatësia e linjës, fluksi, itenerari orar i lëvizjes së autobusëve, gjendja e kërkuar, fizike dhe e projektuar, e automjeteve (vit prodhimi, kondicionimi,) etj.

Gjithashtu, në zbatim të nenit 3, të ligjit nr.37/2014, Këshilli i Ministrave, ngarkohet që të përcaktojë masën kriteret dhe procedurat për kompensimin e tarifës së transportit të kategorive të personave, që përfitojnë nga legjislacioni në fuqi për tranportin qytetës. Nga hyrja në fuqi e këtij ligji (23 maj 2014) deri në nxjerrjen e vendimit të KM-së, kjo kategori qytetarësh nuk do të mund të udhëtojë më vetëm me paraqitjen e dokumentit statutor, por për çdo shpenzim të kryer për pagesën e tarifës do të kompensohet sipas vendimit të sipër përmendur.

Galeri Video

This page require Adobe Flash 9.0 (or higher) plug in.


Shoqata Kombetare e Transportit Qytetas
Tirane, Albania; tel: +355 4 2262429; E-mail: shktq@shktq.org